Tërmeti në Kolumbi shkon në mbi 250 të vdekur, ekipet ende në terren

Ekipet e shpëtimit në Kolumbi kanë vazhduar të martën kërkimet nën grumbujt e mëdhenj të rrënojave, duke kërkuar heshtje në zonat e prekura për të dëgjuar nëse ka ende të mbijetuar të bllokuar nën ndërtesat e shembura.

Tërmeti me magnitudë 7.4, i cili konsiderohet më shkatërruesi që ka goditur Kolumbinë në këtë shekull, goditi të hënën në mëngjes rajonin perëndimor të vendit, duke dëmtuar ose shembur ndërtesa banimi, shtëpi, shkolla dhe qendra shëndetësore.

Raportimet nga qytetet e prekura flasin për të paktën 254 persona të vdekur. Në Pereira janë raportuar 101 viktima, ndërsa në Cali, qytetin e tretë më të madh të Kolumbisë, janë raportuar 95 të vdekur, shkruan Reuters, \.

Situata është veçanërisht e vështirë në rajonin Chocó, në bregdetin e Paqësorit, ku shumë komunitete indigjene pranë epiqendrës kanë mbetur pa energji elektrike dhe shërbime bazë.

Tërmeti ndodhi vetëm disa ditë pas inaugurimit të presidentit të ri, Abelardo De La Espriella, i cili vizitoi zonat e prekura dhe premtoi mbështetje ekonomike për banorët që kanë humbur shtëpitë.

Federata Kombëtare e Kafesë po punon në terren me familjet për të vlerësuar dëmet në fermat dhe infrastrukturën rurale, bëri të ditur kreu i saj, German Bahamon.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës së të hënës dhe gjatë së martës, duke përdorur vinça, ekskavatorë dhe mjete të tjera, por edhe duart e tyre, për të larguar rrënojat.

Në disa zona, shpëtimtarët kanë formuar zinxhirë njerëzorë dhe kanë kaluar kova me mbetje nga njëri te tjetri, në përpjekje për të gjetur njerëz që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.