“Bota serbe” në aksion? Fetoshi zbulon strategjinë e Vuçiqit ndaj Kosovës (VIDEO)

Profesori universitar, Arben Fetoshi ka deklaruar se Serbia po e ashpërson strategjinë ndaj Kosovës përmes propagandës dhe luftës hibride.

Në Edicioni Special në Klan Kosova, Fetoshi tha se Beogradi synon të mbajë Kosovën në një situatë të paqëndrueshme dhe të përdorë komunitetin serb si instrument në betejën politike.

Sipas tij, kjo strategji nuk kufizohet vetëm në Kosovë, por shtrihet edhe në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Strategjia hibride sidomos kohve të fundit ka njohur një zgjerim të madh të taktikave dhe metodave kundrejt edhe vendeve të tjera të rajonit tonë siç është Mali i Zi nëpërmjet një përfaqësuesi të Beogradit atje për të përgatitur ose për të nxitur një lloj sentimenti që niveli qytetar i Malit të Zi e konsideron të turpshëm vendimin e Podgoricës për njohjen e Kosovës dhe mbi këtë bazë të krijohet përshtypja që po bëhet një rishikim i qasjes ndaj Kosovës në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe kur ta vendosim këtë në kontekstin edhe të angazhimit secesionist të vazhdueshëm nga Dodik në Republikën Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë atëherë strategjia hibride e Serbisë praktikisht rikthen përpjekjet e saj për projektin e Millosheviçit të Serbisë së Madhe, i cili është i kamufluar sot me konceptin e botës serbe”, tha Fetoshi.

Ai përmendi edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për lumin Ibër, duke thënë se ato janë pjesë e një narrative që synon ta paraqesë Kosovën si palë represive dhe ta relativizojë atë si realitet gjeopolitik.