Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas dështimit të seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për zvarritje të krijimit të institucioneve të reja.
Në reagimin e saj, PDK ka vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit përbën “vazhdim të bllokadës institucionale” dhe është në kundërshtim me detyrimet që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe të procedohej me votimin për konstituimin e tij”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, situata aktuale nuk lidhet me mungesë të votave apo rrethana të tjera politike, por me një vendim të qëllimshëm të Vetëvendosjes.
“Zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave apo e mungesës së votave, por rezultat i një zgjedhjeje politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit”, ka deklaruar PDK.
Partia opozitare ka thënë se mosveprimi për konstituimin e Kuvendit përbën shpërfillje të rendit kushtetues dhe ka theksuar se askush nuk mund të jetë mbi Kushtetutën.
“Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë të mbajë peng institucionet e Republikës për interesa partiake”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, PDK i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mundësojnë konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit.
“Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të plotë të Kushtetutës”, ka përfunduar PDK në reagimin e saj.








