Autoritetet evropiane kanë ndërmarrë një tjetër aksion të koordinuar kundër rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve, duke goditur një organizatë kriminale që dyshohet se ka organizuar hyrjen e paligjshme të qindra personave në Bashkimin Evropian.
Operacioni, i zhvilluar në bashkëpunim mes disa shteteve, synon të frenojë aktivitetin e grupeve që përfitojnë nga flukset migratore përmes rrugëve më të rrezikshme drejt Evropës.
Europol njoftoi të enjten se janë arrestuar tre persona të dyshuar si pjesëtarë të rrjeteve siriane të kontrabandës së emigrantëve, gjatë një operacioni të përbashkët të zhvilluar në Gjermani dhe Serbi.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Evropa vazhdon të përballet me sfidat e migracionit të parregullt, pas ngjarjeve të javës së kaluar, kur mbi 70 mijë emigrantë hynë brenda një periudhe të shkurtër në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, nga territori i Marokut.
Sipas Europolit, hetuesit vunë në shënjestër anëtarë të lartë të dy rrjeteve kriminale siriane të ndërlidhura, të cilat dyshohet se kanë organizuar kontrabandën e më shumë se 900 emigrantëve drejt Bashkimit Evropian.
Mes të arrestuarve është një shtetas sirian, 26 vjeç, i kapur në Gjermani, si dhe një shtetas sirian, 31 vjeç, i arrestuar në Beograd. Në kryeqytetin serb u arrestua edhe një person i tretë, i dyshuar për përfshirje në të njëjtin aktivitet kriminal.
Sipas hetimeve, këto rrjete kanë organizuar transportimin e emigrantëve drejt Evropës që nga viti 2022, duke përdorur kalimet detare nëpër Mesdhe nga Libia, si dhe të ashtuquajturën rrugë ballkanike, një nga itineraret më të përdorura për migracionin e parregullt drejt vendeve të Bashkimit Evropian.








