Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kërkoi kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, kohë për çështjen e presidentit, duke bërë kështu që të shtyhet mbledhja për konstituimin e Kuvendit.
Opinionisti Shkumbin Kajtazi, në emisionin “Kosova Today”, deklaroi se është kthyer në rutinë që situatat e zakonshme të kthehen në probleme politike, transmeton Klankosova.tv.
“Qasja ndaj LDK-së por edhe krejt opozitës ka qenë tentim për t’ia veshur fajin që zgjedhjet të jenë shkaktuar nga mosbashkëpunimi i opozitës. Kurti besoj se është duke u tallur që dy vjet me krejt Kosovën”, tha ai në Klan Kosova.
Ndërkohë, Eugen Cakolli nga KDI tha se në bazë të aktgjykimit të vitit të kaluar, seanca duhet të përmbyllet deri nesër në orën 23:59.
“Shqetësimi im është që nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet plotësisht deri nesër, përmbajtësisht nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodh, por që nuk ndodh për arsye të caktuara, atëherë qartazi kemi të bëjmë me një përpjekje për të blerë kohë shtesë, në funksion të zvarritjes së afatit për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Cakolli.
Nga ana tjetër, opinionistja Afërdita Maliqi tha se të gjitha rrethanat dhe sjelljet e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, sipas saj, kanë treguar se duan zgjedhje të reja.
“Unë mendoj që skenari i ri i VV-së është të zvarrisë dhe skenar për zgjedhje të reja”, tha ajo në Klan Kosova.
E opinionisti Sali Rexhaj situatën aktuale politike e krahasoi me grushtet.
“Dikur jemi në gjendje jokushtetuese, jemi në grushtet, sesa do të durojnë qytetarët e Kosovës këtë situatë, e sa do të durojë opozita që të nëpërkëmbet në këtë mënyrë nga Albin Kurti, është çështje tjetër. Për mendimin tim populli duhet të dalë në rrugë që të mos ja lejojë Albin Kurtit të shkojë nga Kuvendi në Qeveri”, u shpreh Rexhaj në “Kosova Today”.
Gazetarja Ardiana Thaçi, tha se Kurti po tenton të blejë kohë.
“Ky thjesht po do me ble kohë, dhe po do me e zhvlerësuar opozitën deri në qatë masë, e që sulmi më i madh është ndaj LDK-së. Mendoj që LDK-ja nga sot do duhej të hiqte dorë nga negociatat”, u shpreh Thaçi.
Gazetari Vullnet Krasniqi, nga ana tjetër ngriti pyetjen se si një kryesuesi Kuvendit, i cili nuk ka asnjë kompetencë dhe është drejtues teknik, të vendosë të pezullojë një mbledhje.
“Te partitë opozitare ky duhet të jetë fokusi, sepse beteja është e jashtëzakonshme, janë vetëm 24 orë”, u shpreh Krasniqi.








