PZAP gjobit Vetëvendosjen për keqpërdorimin e të miturës në tubim

Me 5 mijë e 100 euro është gjobitur Lëvizja Vetëvendosje për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatë zgjedhore.Kundër LVV-së, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ishin ankuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte pretenduar se më datë 30.05.2026, gjatë një tubimi zgjedhor të organizuar në Vushtrri nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidati për Kryeministër nga radhët e LVV-së Albin Kurti, ka ftuar në skenë një vajzë të mitur, rreth moshës 10 vjeçare, e cila ka recituar para pjesëmarrësve të tubimit.

LDK ka potencuar se vajza reciton e veshur me me rroba dhe logo të LVV-së.

“Sipas parashtruesit të ankesës, pjesëmarrja aktive e fëmijës në skenë, para publikut dhe në kuadër të një aktivitetit të organizuar zgjedhor, përbën angazhim të një personi nën moshën 15 vjeçare në 1 fushatë zgjedhore, gjë që është e ndaluar nga rregullat zgjedhore në fuqi dhe se PZAP në rastet e mëhershme ka konstatuar se pjesëmarrja e fëmijëve në aktivitete dhe materiale të fushatës zgjedhore përbën shkelje të rregullave zgjedhore dhe ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike”, thuhet në vendimin e PZAP, e aty po ashtu thuhet se LDK ka bashkëngjitur si prova fotot dhe linkun nga tubimi në fjalë.

PZAP ka vendosur se ankesat e LDK-së dhe IKD-së janë të bazuara.Për pretendimin e LVV-së se nuk ka angazhuar të miturën, PZAP ka thënë se e vlerësoi si të pabazuar, për faktin se në momentin kur organizatori i aktivitetit i ka mundësuar të miturës hyrjen në sallë, pastaj paraqitjen në skenë para publikut në kuadër të tubimit zgjedhor, pjesëmarrja e saj konsiderohet përfshirje aktive në fushatë zgjedhore.

“Lidhur me pretendimin nga përgjigja në ankesë se “Në rastin konkret nuk ekziston asnjë provë që e mitura është ftuar, organizuar, koordinuar apo angazhuar nga Lëvizja Vetëvendosje!…” Këto pretendime paneli i vlerëson si të pabazuar, për faktin se nuk është më rëndësi në këtë rastë se a ka pasur ftesë, organizim apo koordinim për të marrë pjesë e mitura në aktivitete politik, por me rëndësi është fakti se organizatori i këtij aktiviteti e ka lejuar që të marrë pjesë në këtë aktivitet politik, veprim ky i cili bije në kundërshtim me Rregulloren e sipërcituar”, thuhet tutje në vendimin e PZAP-së.

Veprimi i LVV-së, PZAP ka konstatutar se ishte në kundërshtim me Rregulloren Zgjedhore për Fushatën e Zgjedhjeve.

Vendimi i plotë në këtë link.