Rosenior pas humbjes: Ky Chelsea ishte pa personalitet, diçka duhet të ndryshojë dhe menjëherë

Trajneri i Chelsea, Liam Rosenior, foli për Sky Sports pas humbjes 3-0 ndaj Brighton, humbja e tyre e pestë radhazi në ligë: “Kjo ishte ndeshja më e keqe nën drejtimin tim deri më tani. Ishte një performancë e papranueshme në çdo aspekt, e papranueshme në qëndrimin tonë”.

“Unë vazhdoj t’i mbroj lojtarët, por performanca e sonte ishte e pambrojtshme. Mënyra se si pësuam gola, numri i dueleve që humbëm, mungesa e intensitetit në ekip. Diçka duhet të ndryshojë në mënyrë drastike, menjëherë“, deklaroi më tej Rosenior.

Duhet ta shohim veten në pasqyrë. Edhe unë duhet ta shoh veten në pasqyrë. Por nuk mund të vazhdoj të vij këtu dhe të mbroj disa gjëra që po shohim. Sinqerisht, nuk morëm rezultatin që shpresonim kundër Manchester United, por ndjeva se do t’i ndryshonim gjërat”, tha trajneri i Chelsea.

Më tej, ai tha: “Qëndrimi, shpirti dhe vendosmëria e përgjithshme mungonin, përveç ndoshta tre ose katër nga njëmbëdhjetëshja. Kjo absolutisht nuk është e mjaftueshme për këtë klub. Nuk mund të vij këtu dhe të gënjej. Do të them të vërtetën. Ishte një performancë e papranueshme nga çdo këndvështrim.”

“Nuk kishte profesionalizëm. Ishte një mbrëmje vërtet e vështirë. Mbrëmja më e vështirë jo vetëm këtu, deri më tani, në këtë klub madhështor futbolli, por në të gjithë karrierën time. Disa nga gjërat që pashë sot, nuk dua t’i shoh më kurrë“, përfundoi Rosenior.

The post Rosenior pas humbjes: Ky Chelsea ishte pa personalitet, diçka duhet të ndryshojë dhe menjëherë appeared first on Telesport.