Hansi Flick më në fund festoi pas fitores së madhe ndaj Atlético Madridit, ku u pa versioni më i mirë i Barcelonës këtë sezon. Pas fitores minimale ndaj Alavés, ku u duk i zhgënjyer, këtë herë loja e ekipit i la shije shumë pozitive: “Bëmë një paraqitje të shkëlqyer kundër një ekipi të madh. Luftuam së bashku, ishte fantastike. Do të shohim nëse kjo ndeshje është pikë kthese. Ka qenë një nga ndeshjet më të mira të sezonit, e merituam fitoren”.
Lajm shumë i rëndësishëm për të ishte rikthimi i Raphinha, që shkëlqeu në “Spotify Camp Nou”: “Është shumë i rëndësishëm për ne. Kur ai është në fushë, rritet intensiteti dhe kjo ndikon te të gjithë. Lëvizjet e ekipit janë mbresëlënëse”.
Kjo ishte fitorja e parë e këtij sezoni ndaj një rivali të madh, pas humbjeve ndaj Real Madridit, Chelsea dhe PSG-së: “Ishte ndeshja që donim, e dominuam kundërshtarin. Niveli sot ishte shumë i mirë, kemi përmirësim. Humbjet janë e shkuara; sot pamë një paraqitje të madhe, duhet të vazhdojmë kështu”.
Flick u gëzua edhe për rikthimin e Pedrit: “Pedri është spektakolar. Jam i lumtur që u rikuperua dhe u kthye në këtë nivel. Është shumë i rëndësishëm”. Megjithëse Pedri doli i lodhur e me dhimbje, trajneri konfirmoi se është mirë, ndryshe nga Dani Olmo: “Pedri është mirë, vetëm i lodhur. Dani ka probleme në shpatull dhe do ta shohim”.
The post Flick: Fituam kundër një ekipi të madh, ishte paraqitja më e mirë e sezonit appeared first on Telesport.











