Në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të çlirimit të qytetit, Komuna e Pejës ka ndarë mirënjohje dhe dekorata për personalitete që kanë dhënë kontribut të veçantë në jetën publike e shoqërore të qytetit.
Njëri ndër ta ishte edhe humanisti Halil Kastrati i cili u nderua me titullin “Qytetar Nderi” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ndihmë të njerëzve në nevojë.
“Me përulje ju falënderoj të gjithëve për këtë nder, përndryshe këtë çmim unë ia kushtoj një njeriu, i cili me këshillat e tij, në kohën kur ne kishim nevojë më së shumti, ai ma zgjati dorën, tanimë i ndjeri Riza Lluka”.
“Meqenëse Kuzhinën në Prishtinë e mori Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, erdhëm në Pejë. Dera e parë që kam trokitë ka qenë Dukagjini, e aty e kam gjetë të ndjerin tanimë Riza Lluka dhe kam kërku ndihmën e tij”.
“Kurrë nuk e harroj, kur ia shpalosa idenë ai më përqafoi dhe më tha: ‘Halil nuk e di a do mundemi me bo diçka, por besën e ke, do të kesh përkrahjen time, shyqyr që paska dikush prej shqiptarëve me hapë një kuzhinë edhe me ju gjetë afër nevojtarëve’”, tregoi Kastrati i cili tha se më pas Lluka menjëherë mobilizoi shumë biznesmenë tjerë të Pejës.
“Unë e lus Zotin të ndjerin ta gradon me gradat më të larta të parajsës”, shtoi ai.
Ai theksoi se për pesë vjet kanë ofruar shërbim me kuzhinën humanitare në Pejë, ndërsa mbi 100 familje në këtë komunë tashmë gëzojnë shtëpitë e reja, falë ndihmës së tyre.
“Ky çmim ia kushtoj të ndjerit Riza Lluka, dhe Pejës – qytetit të bereqetit. Faleminderit Komunës, Kuvendit dhe qytetarëve të Pejës për këtë nder”, përfundoi Kastrati.
The post Halil Kastrati nderohet me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Pejës, çmimin ia dedikon Riza Llukës appeared first on Kosovapost.net.