ZRrE finalizon raportin e hetimeve në energjetikë, vërtetohen dyshimet për manipulim të çmimit të rrymës për Kosovën

Në vitin 2024, konsumatorët e rrymës në Kosovë e kanë paguar shumë më shtrenjtë energjinë elektrike nga importi, krahasuar me çmimin e tregut në bursa. Kjo erdhi si rezultat i manipulimit të çmimit të importit nga tregtarët e energjisë dhe bllokimi i linjës interkonektvie me Kosovën nga ana e Serbisë.

Këto janë dy nga gjetjet kryesore që dalin një raport i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në kuadër të një hetimi disamujor në energjetikë. Gjatë vitit 2024, kostot për bartje të energjisë elektrike për Kosovën shkuan deri në 800 euro për megavatë orë, një “anomali” që ndodhë vetëm në rastet kur ka bashkëpunime të dyshimta mes tregtarëve të energjisë elektrike.

Rapoti i hetimeve nga ZRrE-së vjen pas atij të KOSTT, i cili i kishte shkuar ZRrE-së në janar të këtij viti, ku po ashtu konfirmohen këto dyshime. Mirëpo, derisa në raportin e KOSTT-it pretendimet konfirmohen në nivelin e dyshimeve, raporti i ZRrE-së është më i drejtpërdrejtë, edhe duke i vërtetuar këto dyshime.

Buletini Ekonomik ka publikuar raportin vjetor të ZRRE-së për vitin 2025, në të cilin konstatohen disa prej gjetjeve nga raporti i hetimeve që pritet të publikohet në të ardhmen.

“Gjetjet e këtij raporti theksojnë se faktorët e sipërpërmendur, në kombinim me kufizimet strukturore të kapaciteteve ndërkufitare me bllokimin e linjave ndërkufitare me Serbinë, kanë kontribuar në rritjen e kostove të furnizimit me energji elektrike, duke u reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në barrën financiare të konsumatorëve”, thuhet në raportin vjetor të ZRRE-së që tashmë i ka shkuar administratës së Kuvendit.

Hetimet e ZRrE-së u përqendruan në rritjen e çmimit të kapaciteteve ndërkufitare, apo kostos së bartjes së energjisë elektrike, dhe atë kryesisht në kufirin Mali i Zi-Kosovë, aty ku kosto për bartjen e 1 megavati rrymë gjatë vitit 2024 shkoi deri në 800 euro.

Në raport, ZRrE po ashtu konstaton se të gjitha këto kosto të fryra nga tregtarët u janë ngarkuar konsumatorëve në tarifa.

“Në këtë kontekst, Departamenti i Tregut të Energjisë (DTE) ka përgatitur një draft raport monitorimi të importit të energjisë elektrike nga bursat përfshirë edhe kapacitetet ndërkufitare, lidhur me rritjen e çmimeve të kapaciteteve ndërkufitare, me fokus të veçantë në kufirin Kosovë–Mal i Zi, i cili ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostove për konsumatorët fundorë”, thuhet në raport.

Deri të ky konstatim ZRrE erdhi pasi kishte zgjeruar hetimet në disa drejtime.

Subjekt i hetimeve ka qenë mënyra e përzgjedhjes së kompanisë Noa Energy Trade nga KESCO si agjent për import dhe krahasimi i çmimit të importit me këtë kompani me çmimin referues në bursa.

“Hetimi është zhvilluar në disa segmente kyçe, duke përfshirë procesin e përzgjedhjes së agjentit nga ana e KESCO për realizimin e blerjeve në bursa ndërkombëtare, përmbushjen e obligimeve të KESCO për sigurimin e kapaciteteve të nevojshme ndërkufitare në funksion të sigurisë së furnizimit, analizën e marrëveshjes ndërmjet KESCO dhe agjentit të përzgjedhur në aspektin e përputhshmërisë kontraktuale, si dhe vlerësimin e sjelljes së palëve, përfshirë praktikat e blerjes së energjisë”, konstaton raporti.

Sipas këtij raporti, efekte në fryrjen e kostove nga importi paten edhe kufizimet e shkaktuara nga bllokimi i njëanshëm i linjave interkonektive nga Serbia, me ndikim më të theksuar në Kosovë.”Si pasojë, është vërejtur një rritje e konsiderueshme e çmimeve të kapaciteteve ndërkufitare, duke e vështirësuar qasjen në tregjet ndërkombëtare dhe duke ndikuar në rritjen e kostos së importit të energjisë elektrike”.

Si u manipulua tregu në SEE CAO?

Në anën tjetër, raporti i KOSTT-it sqaron në detaje se si u manipulua çmimi në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë (SEECAO), aty ku bëhet shitblerja e linjave të transmisionit për vendet e Europës Juglindore. SEECAO rregullon çështjen e ankandeve për blerjen e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit, ku pjesë e saj është edhe Kosova. Përveç çmimit të energjisë elektrike, një kosto tjetër që ngarkohet në çmim është edhe kostoja për transmision, apo bartjen e energjisë.

Në SEECAO, tregtarët e energjisë elektrike i blejnë linjat e transmisionit në ankande vjetore, mujore dhe ditore.

Ekspertët e KOSTT-it gjetën se me ankande në SEECAO në emër të importit për Kosovën gjatë vitit 2025 kishin bashkëpunuar kompanitë “Noa Energy Trade” dhe kompania në pronësi të shtetit serb – “Elektroprivreda Srbije”.

Noa Energy Trade është kompani nga Tirana që e ka dominuar importin e energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2021-2025. Kësaj kompanie iu dha e drejta për import nga KESCO, përmes procedurave të dyshimta që po ashtu kanë qenë subjekt i hetimit nga ZRrE.

Ndërsa, “Elektroprivreda Srbije” (EPS) është një kompani energjetike në pronësi të plotë të Qeverisë së Serbisë, me seli në Beograd.

Gjatë vitit 2025, këto dy kompani bashkëpunuan si të vetme në ankandet për shitblerjen e linjave të transmisionit që kishin destinacion Kosovën. Ato dyshohet se e manipuluan sistemin në SEECAO për t’i ngritur kostot e bartjes së energjisë elektrike për Kosovën, shpeshherë shumëfish më shumë se vetë çmimi i energjisë elektrike.

Nga të dhënat që KOSTT ka marrë në SEECAO, doli se të ankandet që kishin destinacion Kosovën pati tendenca për “bllokim të linjave” dhe “përqëndrim të lartë” të ankandeve te vetëm dy kompani.

Në së paku 40 raste, tregu i ankandeve në SEECAO u përqëndrua vetëm te kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”.

Kompania “Noa Energy Trade”, për vitin 2025, kishte blerë linjat e transmisionit Mali i Zi-Kosovë në ankandin vjetor. Çmimi në ankand vjetor i linjave sillet pak mbi 1 euro për megavat/orë. Dyshohet se manipulimi i tregut ndodhi te ankandet ditore.

Tregtarët e energjisë që i blejnë linjat në ankande vjetore, tentojnë që linjat t’i rishesin pastaj në ankande ditore për blerësit e mundshëm. Këtë e bëjnë për të fituar nga linjat.

Kompania “Noa Energy Trade”, përveç që ishte kompania që e kishte monopolin për ta furnizuar Kosovën me energji elektrike nga importi, e kishte monopolin edhe në sigurimin e linjave të transmisionit për Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO). Kështu, linjat që “NOA” i bleu në ankand vjetor, sa herë që kishte synim të realizonte import të energjisë elektrike për KESCO-n, i riktheu për rishitje në ankande ditore.

Rregullat e SEECAO-së kërkojnë që në ankande duhet të marrin pjesë së paku dy kompani për të qenë ankandi i vlefshëm. Gati në të gjitha ankandet kur “NOA Energy Trade” i riktheu linjat vjetore për rishitje në ankand ditor, aty pjesëmarrës ishte vetëm kompania “Elektroprivreda Srbije”.

Raporti identifikon edhe kostot se sa shkoi çmimi i kapaciteteve për Kosovën në rastet kur bashkëpunuan këto dy kompani. Në të gjitha rastet kur çmimi i bartjes shkoi mbi 100 dhe mbi 200 euro për megavat/orë, në ankandet ditore për energjinë e importuar në Kosovë, ishin vetëm kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”.

Raporti i KOSTT-it, këtë përqendrim të tregut të ankandeve te vetëm dy kompani, e sheh si mundësi të bashkëpunimit mes këtyre dy kompanive për t’i rritur kostot e bartjes së energjisë elektrike.

“Gjatë vlerësimit, SEECAO gjithashtu ka evidentuar disa orë (14) në të cilat kapaciteti është alokuar vetëm për dy pjesëmarrës të regjistruar. Edhe pse përqëndrimi i lartë nuk përbën shkelje të Rregullave, ai mund të jetë tregues i sjelljes për bllokim (hoarding) të kapacitetit (linjes)”, thuhet në raport.

Në raport, KOSTT i drejtohet ZRrE-së që të zhvillojë hetime më të thelluara për të parë se sa ishte ndikimi i këtij përqëndrimi në faturat e konsumatorëve të rrymës në Kosovë.

“Përdorimi i kapaciteteve të fituara në ankandet ditore me çmime të larta dhe efekti i tyre në çmimet e energjisë elektrike të përdoruesve fundorë duhet të analizohet më tej për të kuptuar strategjitë/veprimet e palëve tregtare, pasi të dhëna të tilla nuk i posedon KOSTT”, thuhet tutje në raport./Buletini Ekonomik