Menu Close

Vuçiq e pranon humbjen: Lista Studentore do të ketë më së shumti mandate në Parlamentin e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar publikisht humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, duke deklaruar se Lista Studentore ka fituar garën zgjedhore.

“Është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje”, ka deklaruar Vuçiq, sipas portalit serb Nova.rs.

Ai ka bërë të ditur se, sipas rezultateve të nxjerra nga një mostër e shtresëzuar, Lista Studentore pritet të sigurojë shumicën parlamentare.

“Ka fituar lista studentore-bllokuese, e cila do të ketë ndërmjet 135 dhe 140 mandate, ndërsa ne rreth 105”, ka deklaruar Vuçiq.

Kjo do të nënkuptonte se Lista Studentore mund të siguronte shumicën e nevojshme prej 126 deputetësh në Parlamentin e Serbisë, i cili ka gjithsej 250 ulëse.

Vuçiq ka dhënë edhe shifra paraprake për numrin e votave të fituara nga dy blloqet kryesore politike.

Sipas tij, lista që ai udhëheq ka marrë rreth 1 milion e 720 mijë vota, ndërsa Lista Studentore afërsisht 2 milionë e 200 mijë.

Megjithatë, ai ka theksuar se këto të dhëna nuk janë rezultate përfundimtare, por vlerësime të bazuara në një mostër të votave.

“Nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Shumë do të befasohen dhe ju do ta kuptoni se sa shumë kanë gënjyer disa”, ka deklaruar ai.

Pranimi i humbjes nga Vuçiq vjen pas pjesëmarrjes së jashtëzakonshme të qytetarëve dhe raportime të shumta për parregullsi.

Sipas organizatës CRTA, deri në orën 19:00 kishin votuar 67,8 për qind e qytetarëve, krahasuar me 55,5 për qind në zgjedhjet e vitit 2023.

Lista Studentore, e mbështetur nga lëvizja protestuese kundër pushtetit, ishte kundërshtarja kryesore e Vuçiqit në këto zgjedhje.

Megjithatë, ndarja përfundimtare e mandateve do të përcaktohet vetëm pas numërimit të votave dhe publikimit të rezultateve zyrtare nga Komisioni Republikan Zgjedhor.

Related Posts