Menu Close

Qeveria e Kosovës pas ridënimit të Thaçit: Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë dhe e besueshme

Qeveria e Kosovës tha se kritikat e saj ndaj Gjykatës Speciale “mbeten të qëndrueshme”, në një postim në Facebook, pas dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin e dytë ndaj tij dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.

Ekzekutivi në Kosovë doli për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimin e vendimeve, por shtoi se kjo s’e përjashton të drejtën për të ngritur shqetësime për funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

“Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë, u shpall aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë. Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria tha se “besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”.

“Prandaj, angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet në reagim.

Hashim Thaçi u ridënua sot nga Gjykata Speciale në Hagë me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë.

Në këtë rast, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan gjithashtu me nga 12 muaj burgim për pengim të drejtësisë, por u liruan sot meqenëse koha e kaluar në paraburgim ua mbulon dënimin e shqiptuar.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi u dënua një muaj burgim me kusht – dënim që do të konsiderohet i kryer pas një viti nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër.

Isni Kilaj, ndërkaq, u shpall i pafajshëm.

Related Posts