Një shtetase gjermane ka humbur jetën në Palasë të Vlorës paraditen e të mërkurës, njoftoi policia e Vlorës.
Sipas njoftimit, theksohet se 33-vjeçarja ka shfaqur probleme shëndetësore, por edhe përkundër ndihmës mjekësore, nuk ka arritur të mbijetojë.
“Rreth orës 11:45, të datës 30.07.2026, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte dërguar shtetasja gjermane M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, humbi jetën”, tha policia, përcjell A2CNN.
Nga veprimet e kryera paraprakisht, policia tha se dyshohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale, “pasi shtetasja gjermane dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak”.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë”, tha Policia në njoftim.








