Moska paralajmëron të hakmerret ndaj vendeve që i japin Kievit raketa me rreze të gjatë
Me të marrë miratimin nga aleatët, Ukraina po përdor gjerësisht raketat me reze të gjatë veprimi brenda territorit rus. Pas atyre amerikane ATACMS, ushtria lëshoi të mërkurën një breshëri raketash britanike “Storm Shadow”.
Sulmet u raportuan gjerësisht nga korrespondentët rusë të luftës dhe më pas u konfirmuan nga një zyrtar në kushte anonimiteti. Sulmet ndaj brenda territorit rus vazhdojnë pavarësisht paralajmërimeve të Moskës se përdorimi i këtyre armëve perëndimore do ta përshkallëzojë konfliktin.
Llogaritë e korrespondentëve rusë të luftës ruse në Telegram u mbushën me postime nga çastet e shpërthimit të raketave në rajonin Kursk. Burime ruse thanë se Ukraina gjuajti deri në 12 raketa “Storm Shadows”.
Këto raketa me rreze veprimi rreth 250 km i japin mundësi Ukrainës të godasë objektiva thellë në Rusi. Pasi lejoi përdorimin e raketave brenda territorit rus, presidenti amerikan Joe Biden vendosi t’i jepte Ukrainës mina kundër trupave të këmbësorisë që më parë ishin refuzuar pavarësisht kërkesave të Ukrainës.
Në sfondin e kërcënimeve ruse, Shtetet e Bashkuara mbyllën ambasadën në Kiev të mërkurën në mëngjes për shkak të asaj që e quajti kërcënim nga një sulmi i madh ajror rus.
Sirenat e sulmeve ajrore ranë pa pushim pasditen e së mërkurës duke shkaktuar panik në kryeqytet. Më vonë, Agjencia e Zbulimit Ushtarak e Ukrainës tha se bëhet fjalë për luftë psikologjike, ku armiku krijon vazhdimisht situata paniku duke shpërndarë mesazhe në internet në lidhje me sulme të mundshme. Ambasadat italiane dhe greke u mbyllën gjithashtu.
Shefi i zbulimit të jashtëm të Rusisë, Sergei Naryshkin tha në një intervistë të botuar të mërkurën se Moska do të hakmerret ndaj vendeve të NATO-s që lejojnë sulmet me raketa me rreze të gjatë brenda territorit rus.
Klan News