Turqia dhe Japonia synojnë bashkëpunim në prodhimin e dronëve luftarakë

Turqia ka shprehur gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin me Japoninë në fushën e industrisë së mbrojtjes, me fokus të veçantë në zhvillimin dhe prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot (UAV), të njohura ndryshe si dronë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili vlerësoi se një partneritet i tillë do të mund të sillte përfitime të rëndësishme strategjike dhe teknologjike për të dy vendet, raportojnë mediat turke, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, Turqia është shndërruar vitet e fundit në një nga prodhuesit kryesorë të dronëve në nivel global dhe tashmë synon të thellojë bashkëpunimin me Tokion në sektorin e mbrojtjes dhe teknologjisë së avancuar.

“Turqia dhe Japonia kanë kapacitete që plotësojnë njëra-tjetrën dhe ne besojmë se ekziston një potencial i madh për një bashkëpunim të dobishëm për të dyja palët”, deklaroi Fidan.

Ai theksoi se Ankaraja ka zhvilluar aftësi të avancuara dhe të testuara në terren në fushën e sistemeve ajrore pa pilot, si dhe në teknologjitë për zbulimin, monitorimin dhe neutralizimin e dronëve. Sipas tij, këto kapacitete mund të shërbejnë si bazë e fortë për projekte të përbashkëta me Japoninë në të ardhmen.

Kryediplomati turk nënvizoi se bashkëpunimi mes dy vendeve nuk kufizohet vetëm në industrinë e mbrojtjes.

Ai theksoi se ekzistojnë mundësi të mëdha partneriteti edhe në sektorë të tjerë strategjikë, përfshirë energjinë, transformimin digjital, robotikën, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e avancuara.