Tronditëse në Greqi: Shqiptari raportohet se përdhunoi vajzën 9-vjeçare të partneres së tij

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Greqi, ku një 41-vjeçar shqiptar po akuzohet për përdhunim të përsëritur dhe abuzim seksual ndaj vajzës 9-vjeçare të bashkëshortes së tij.

Sipas dosjes hetimore, 41-vjeçari dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të miturën gjatë verës së vitit 2023, kur nëna e saj, shtatzënë, ndodhej në Shqipëri dhe ia kishte lënë vajzën në kujdes. Hetimet tregojnë se abuzimet kanë vijuar edhe pas kthimit të nënës, deri në pranverën e vitit 2025, raporton TopChannel.

Prokuroria pretendon se i akuzuari e detyronte 9-vjeçaren të flinte në të njëjtin shtrat me të dhe, nën kërcënimin se do të vriste gjyshen dhe të afërm të tjerë të saj, e detyronte të duronte akte seksuale kundër vullnetit të saj.

Sipas autoriteteve greke, e mitura nuk i tregoi nënës për ngjarjet, pasi kishte frikë nga njerku i saj dhe nga kërcënimet që ai i kishte bërë ndaj familjarëve. Rasti u zbulua pas denoncimeve të personave të tretë.

41-vjeçari mohon të gjitha akuzat, duke pretenduar se ato janë të pavërteta dhe janë pjesë e imagjinatës së të miturës. Çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën Penale të Larisës në muajin tetor.