Kryetari i Forumi Kombëtar Serb, Momçillo Trajkoviq, vlerësoi se zhvillimet e fundit në institucionet serbe në Kosovë janë pjesë e një procesi, që sipas tij, është dakorduar paraprakisht për integrimin e serbëve në sistemin e Kosovës. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e caktuara për 7 qershor, transmeton Paparaci.
Në deklaratën për media, Trajkoviq thotë se “largimi nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022, ngjarjet në Banjskë në shtator 2023 dhe dorëheqjet e fundit, si dhe largimi i njerëzve nga institucionet serbe – shëndetësia dhe arsimi – janë recetë nga e njëjta kuzhinë”.
Ai shton se, sipas vlerësimit të tij, “drejtorët e arrestuar janë vetëm dëm anësor në një proces që Aleksandar Vuçiqi dhe Albin Kurti janë marrë vesh paraprakisht përmes Marrëveshja e Brukselit dhe aneksit të Ohër”.
Trajkoviqi shprehu shqetësim për pozitën e serbëve në Kosovë. Ai vlerësoi se ata ndodhen në “një situatë të vështirë politike”, ndërsa mungon reagimi i duhur nga aktorët relevantë shoqërorë dhe institucionalë.
“Si është e mundur që gjithçka të jetë ‘në shitje’: edhe Kosova, edhe populli, edhe kisha, edhe nderi, edhe dinjiteti!? Pikërisht gjithçka!? Dhe pikërisht të gjithë!?”, pyet Trajkoviqi.
Në fund të deklaratës, ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme.
“Përgjigjja më e mirë e serbëve do të ishte që të mos dalin më 7 qershor në zgjedhje, sepse edhe pa ta, sidoqoftë, ‘ata’ do të fitojnë”, ka thënë Trajkoviqi./Paparaci.com








