Zëdhënësi i Aleancës Kushtrim Xhemajli, ka reaguar ashpër pas një thirrjeje për pushkatimin e ish- kryetarit të këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj.
Xhemajli e ka cilësuar këtë deklaratë si “akt të pastër kriminal”, duke argumentuar se një thirrje e tillë nuk mund të arsyetohet si liri e shprehjes.
“Thirrja e sotme për pushkatimin e Ramush Haradinajt brenda Kuvendit të Kosovës është një akt i pastër kriminal. Kjo nuk është liri e shprehjes, por fashizëm i hapur që meriton reagim të menjëhershëm”, ka deklaruar Xhemajli.
Ai ka ngritur akuza të rënda edhe për atë që e konsideron si një narrativë të përsëritur kundër Haradinajt, duke e lidhur atë me qëndrimet e Beogradit ndaj ish-komandantit të UÇK-së.
Sipas Xhemajlit, “atë që kërkoi ky person sot në mes të Prishtinës, Serbia e kërkon zyrtarisht që tri dekada”.
Në reagimin e tij, zëdhënësi i Aleancës është ndalur edhe te proceset gjyqësore ndaj Haradinajt në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Haradinaj u shpall i pafajshëm në gjykimin fillestar në vitin 2008, ndërsa pas një rigjykimi, më 29 nëntor 2012, ai u shpall sërish i pafajshëm për akuzat e mbetura ndaj tij.
Xhemajli e ka kritikuar edhe heshtjen e deputetëve dhe zyrtarëve që, sipas tij, ishin të pranishëm në Kuvend në momentin kur u bë thirrja.
“Më e tmerrshme është heshtja e turpshme e deputetëve dhe zyrtarëve të pranishëm nga partia që ka fituar zgjedhjet. Ata lejuan këtë linçim monstruoz pa bërë asnjë reagim”, ka shkruar ai.
Në fund, ai ka kërkuar reagim institucional ndaj rastit, duke bërë thirrje që Prokuroria të ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Kuvendi i Kosovës nuk është arenë për të mbjellë urrejtje dhe agjenda të Beogradit. Prokuroria duhet të veprojë urgjentisht!”, përfundon reagimi i zëdhënësit.








