Të paktën 90 të vdekur nga shpërthimi në një minierë qymyri në Kinë

Të paktën 90 persona kanë humbur jetën në një shpërthim në një minierë qymyri në Kinën veriore, sipas mediave shtetërore.

Shpërthimi i gazit në minierën e qymyrit Liushenyu në provincën Shanxi është katastrofa më e keqe në miniera në Kinë që nga viti 2009, shkruan BBC, raporton KlanKosova.tv.

Raportohet se 247 punëtorë ishin në detyrë kur ndodhi shpërthimi në orën 19:29 sipas orës lokale të premten (22:29 GMT), me më shumë se 100 persona të nxjerrë në siguri dhe qindra ekipe shpëtimi të dërguara në vendngjarje.

Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje që të mos kursehen përpjekjet për të trajtuar të plagosurit dhe për të kërkuar të mbijetuarit, dhe i kërkoi qeverisë të hetojë shkakun e shpërthimit.

Njëzet e shtatë persona mbeten në një spital lokal, njëri në gjendje kritike, ndërsa pjesa tjetër ka lëndime të lehta. Shumica u prekën pasi thithën gaz helmues, sipas mediave shtetërore, megjithëse nuk është e qartë se çfarë lloj gazi ishte.