Taylor Swift pagoi mbi 160 mijë dollarë për angazhimin shtesë të policisë në dasmën e saj, konfirmon kryetari i New York-ut

Taylor Swift pagoi mbi 160,000 dollarë për të mbuluar orët shtesë të punës së policisë, si pjesë e lejes së kërkuar nga qyteti i New Yorkut për organizimin e dasmës së saj me Travis Kelce në arenën Madison Square Garden.

Kryebashkiaku Zohran Mamdani e konfirmoi këtë gjatë një konference për shtyp të premten, duke bërë të ditur se këngëtarja kishte paguar koston e shtuar të angazhimit të forcave të rendit, e cila kërkohej për zhvillimin e këtij eventi.

I pyetur nëse Swift do t’ia rimbursonte qytetit shpenzimet për orët shtesë të policisë, Mamdani qeshi dhe u përgjigj:

“Taylor Swift do të paguajë… në fakt, i ka paguar tashmë kostot e lejes, e cila ishte mbi 160,000 dollarë. Kjo shumë përfshinte edhe reagimin e autoriteteve për ngjarjen. Leja u miratua vetëm disa ditë përpara zhvillimit të eventit”.

 Foto: Taylor Swift dhe Travis Kelce / Instagram

Lejet dhe bashkëpunimi me autoritetet e qytetit janë të domosdoshme kur aktivitete private në shkallë të gjerë kërkojnë përdorimin e hapësirave publike, si mbyllja e rrugëve, ose shërbime shtesë të qytetit, si angazhimi i më shumë efektivëve të policisë.

Është praktikë standarde që organizatori i aktivitetit t’i paguajë qytetit tarifën e lejes, e cila përfshin të gjitha shpenzimet që tejkalojnë operacionet normale të administratës.

 Foto: Travis Kelce dhe Taylor Swift / Instagram

Duke pasur parasysh se kostoja e dasmës vlerësohet të ketë qenë në dhjetëra milionë dollarë, tarifa prej 160,000 dollarësh për lejen përbën vetëm një pjesë shumë të vogël të shpenzimeve.

Dasma e Taylor Swift dhe Travis Kelce u zhvillua më 2 dhe 3 korrik në Madison Square Garden, në Midtown Manhattan. Megjithëse ishte një nga ngjarjet më të përfolura të vitit, ceremonia u organizua me masa të rrepta sigurie dhe privatësie. Sipas raportimeve, morën pjesë mbi 1,000 të ftuar, ndërsa për tri ditë rreth arenës u vendosën bllokime të shumta rrugësh dhe u angazhua një numër i madh efektivësh policie.

Në ceremoni performuan Paul McCartney, Stevie Nicks, Ciara dhe Fergie. Sipas burimeve, Madison Square Garden ishte shndërruar në një kopsht madhështor. Gjatë dasmës nuk u lejuan telefona celularë apo fotografi, ndërsa të gjithë të ftuarit u detyruan të nënshkruanin marrëveshje konfidencialiteti (NDA) për të marrë pjesë në event.