Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive.
Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Nga Forcat e Armatosura, aktualisht po operojnë në terren 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Në Dajt vijon puna me forcat e MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 4 automjete zjarrfikëse me 15 efektivë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.
Në Drenie, bashkia Patos, pas riaktivizimit të vatrës, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 7 automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca policore, pyjore dhe vullnetarë, të mbështetur nga 2 avionë “Air Tractor”. Sot operacioni vijon edhe me 30 efektivë të FA-së, raporton Tch, \.
Në Krujë vijojnë operacionet në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet mbështetja e 58 efektivëve të FA-së dhe 2 helikopterëve, ndërsa në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, krahas forcave të ADZM-së dhe strukturave vendore. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Nëmerçkë vijon puna me forcat e MZSH-së, bashkisë dhe 25 efektivë të FA-së, ndërsa në malin Dhëmbel operojnë forcat zjarrfikëse të Përmetit dhe në mbështetje po angazhohen 30 efektivë ushtarakë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.
Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, po zhvillohet një nga operacionet më të rëndësishme, me angazhimin e forcave zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, ADZM-së, vullnetarëve, 50 efektivëve të FA-së, 2 helikopterëve dhe 2 avionëve “Air Tractor”. Për shkak të afërsisë së zjarrit me disa banesa, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre për mbrojtjen e komunitetit.
Aktive mbetet edhe vatra në malin e Moravës, bashkia Devoll, në një zonë të mbrojtur me pyll pishe. Në terren po punojnë forcat e MZSH-së Devoll dhe Korçë, së bashku me shërbimin pyjor, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Operacionet vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me fokus mbrojtjen e zonave të banuara, kufizimin e përhapjes dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive.








