Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë në qendër të politikave dhe vendimmarrjes.
Në aktivitetin “Zëri yt, e ardhmja jonë”, Kurti theksoi se rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga të rinj, raporton RTK.
Ai tha se qeveria ka ndërmarrë një sërë masash në arsim, punësim, kulturë dhe sport, me synim krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.
“Rininë e shohim edhe si të tashmen, meqenëse është një pjesë e madhe e çmuar e shoqërisë sonë”, tha Kurti.
Kreu në detyrë i ekzekutivit theksoi se mbështetja për të rinjtë duhet të vazhdojë edhe në kulturë dhe sport, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që të komunikojnë me institucionet dhe të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre.
“Ne nuk i premtojmë rinisë, ne zotohemi dhe realizojmë tash dhe këtu për të”, deklaroi Kurti, duke i uruar të rinjtë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.







