Aleanca i përgjigjet VV-së: Tregoni pse nuk po i pranoni pikat që ua ndryshojnë jetën qytetarëve

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj deputetëve të Vetëvendosjes, duke thënë se ata po merren me emrin e Aleancës, në vend se të japin përgjigje për ofertën e saj me gjashtë pika.

“Deputetë të Vetëvendosjes, të dirigjuar nga zyrat e partisë, e dimë që nuk keni qëndrim tuaj personal, këtë e kemi kuptuar moti. Megjithatë, në vend që të harxhoni kaq shumë energji duke u marrë me emrin e Aleancës, pyetja për ju është shumë e thjeshtë: PSE NUK PO I PRANONI 6 PIKAT E OFERTËS TONË?”, shkroi Xhemaili.

Ai tha se kjo ofertë është hartuar ekskluzivisht për qytetarët e Kosovës përmes së cilës, sipas tij, fitojnë vetëm ata, nuk fiton asnjë parti.

Në fund, ai u ka bërë thirrje deputetëve të VV-së apo liderit të tyre që të japin përgjigje për ofertën, duke thënë se “e dinë adresën e Aleancës”.

“Kur ta keni këtë përgjigje, ju ose Lideri juaj Suprem, e dini adresën e Aleancës”, ka përfunduar Xhemaili.