Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, ka deklaruar se arritja e një marrëveshjeje politike mes partive parlamentare është rruga e vetme për formimin e institucioneve stabile dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
Duke iu referuar zhvillimeve të vitit të kaluar, Dehari ka rikujtuar se më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese kishte ritheksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda një afati 30-ditor, i cili fillonte të rridhte nga dita e shpalljes së aktgjykimit KO124/25.
Sipas tij, kjo nënkuptonte se Kuvendi do të duhej të konstituohej më së largu deri më 26 korrik 2025.
Megjithatë, Dehari ka theksuar se edhe pas përfundimit të këtij afati Kuvendi nuk ishte konstituuar.
“Sa herë që u kam bërë thirrje deputetëve të opozitës vitin e kaluar që të votonin për ta konstituuar Kuvendin e të mos tejkalohej afati kushtetues, përgjigjja e tyre ka qenë se ‘nevojitet marrëveshje politike’. Asnjëherë nuk ishte problematizuar tejkalimi i këtij afati”, ka thënë Dehari.
Ai ka theksuar se edhe në aktgjykimet pasuese të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit, palëve u ishte kërkuar të vazhdonin përpjekjet për konstituimin e Kuvendit, pavarësisht tejkalimit të afatit, pasi nevoja për konstituimin e Kuvendit mbivendosej me afatin.
Sipas Deharit, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, partitë opozitare e kishin bërë edhe më të qartë qëndrimin e tyre se një marrëveshje politike duhej të arrihej para formimit të institucioneve, në të kundërtën vendi do të shkonte në zgjedhje.
“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”, është shprehur ai.
Dehari ka thënë se në momentin kur të ketë sinjale për një marrëveshje politike që garanton formimin e të gjitha institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve, vazhdimi i seancës konstituive do të ishte vetëm një formalitet ceremonial.
“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka deklaruar Dehari.







