Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili ishte i shpallur në kërkim me urdhëresë arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur gjatë një pike kontrolli të vendosur nga patrulla e Njësisë së Trafikut Rajonal në fshatin Prelez i Jerlive, ku është ndaluar për verifikim një automjet me targa vendore.
Gjatë kontrollit rutinor të dokumentacionit të shoferit, zyrtarët policorë kanë konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar urdhëresë arresti nga Gjykata Themelore në Ferizaj, në lidhje me veprën penale
“Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge apo veglave, pajisjeve ose materialeve narkotike”. Për këtë vepër, personi ishte dënuar paraprakisht me tre vjet burgim.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet S.I., 31 vjeç, është shoqëruar menjëherë në stacionin policor për procedura të mëtejshme.
Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe në përputhje me urdhëresën gjyqësore, personi është dërguar për vuajtjen e dënimit të shqiptuar.








