Vjosa Osmani ka njoftuar se pjesë e listës së saj për zgjedhjet e 7 qershorit do të jetë edhe eksperti i sundimit të ligjit, Bardhyl Hasanpapaj.
“Nga garat si studentë, në një garë të përbashkët e vendimtare për Kosovën! Me Dr.sc. Bardhyl Hasanpapajn, rrugëtimi ynë nuk filloi në politikë. Filloi në vitin 2001, si dy studentë të rinj që bartnim ëndrra të mëdha dhe përfaqësonim Universitetin e Prishtinës në garat më prestigjioze ndërkombëtare të drejtësisë. Bardhi, përveçse njihet si një zë i arsyeshëm i diskursit publik, ka specializuar në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit në Gjermani, ndërsa doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Firenzes në Itali. Si ekspert i sundimit të ligjit, dijen profesionale e ka shndërruar edhe në ndërmarrësi, duke udhëhequr projekte të rëndësishme për organizata ndërkombëtare si BE, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD”, ka njoftuar ajo.
Por përkundër të gjitha arritjeve, Osmani ka thënë se Bardhyli ka mbetur njeri i thjeshtë.
“Një mik i mirë. Një profesionist që nuk u largua kurrë nga dëshira për t’i dhënë Kosovës më shumë. E mbi të gjitha, një malsor që kurrë nuk e shkelë besën e dhënë. Jam e lumtur që edhe sot kemi pranë njerëz si Bardhyl Hasanpapaj, që me dije, integritet dhe përkushtim i japin forcë vizionit tonë për të ardhmen”, ka shtuar ajo.
Deri tash, Osmani ka njoftuar se i janë bashkuar edhe ish-deputetët e VV-së nga radhët e Guxo, Jeta Statovci e Albena Reshitaj.









