Ndërroi pesë parti, por Osmani e cilëson Reshitajn parimore dhe me bindje të qëndrueshme politike

Sa në partitë e djathta si AKR e AAK e deri së fundmi te Vetëvendosje e majtë, ish-deputetja Albena Rexhitaj ka vendosur prapë të rreshtohet kah e djathta me Vjosa Osmanin.

Vetëm nga viti 2019 e deri më sot, brenda rreth shtatë vitesh, Reshitaj ka kaluar nëpër pesë subjekte të ndryshme politike.

Mirëpo, Vjosa Osmani sot e cilësoi grua parimore dhe me bindje politike të qëndrueshme, kur e zyrtarizoi aderimin e saj në listën e LDK-së për deputetë.

“Një bashkëpunim i filluar më shumë se një dekadë më parë, e i ndërtuar mes sfidash e suksesesh të përbashkëta, po vazhdon edhe sot”, ka thënë Osmani për të.

“Prof.asoc.dr. Albena Reshitaj, ish ministre, deputete në 4 mandate, e mbi të gjitha një grua parimore dhe me bindje politike të qëndrueshme, ka dëshmuar vazhdimisht se nuk dorëzohet para asnjë sfide apo kërcënimi, kur është në pyetje mbrojtja e interesit të Kosovës”, ka thënë ish-presidentja.

Osmani ka kujtuar edhe momentin kur Reshitaj ia bëri kuorumin që të bëhej presidente.

“Kur u zgjodha Presidente në vitin 2021, me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi rolin e Listës serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal e pa kërkuar absolutisht asgjë”, ka thënë Osmani.

“Ajo dëshmoi shumëherë, e po e dëshmon edhe sot se politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën, e gjithnjë e palëkundur para atyre që nuk e njohin Kosovën si dhe para atyre që dojnë të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar me sakrificë. Kosova ka nevojë për njerëz që dijnë të punojnë bashkë, e jo për të tillë që dojnë të shkatërrojnë njëri-tjetrin”, ka thënë ajo.

“Si trashëgimtare e një familjeje atdhetare, mbesë e Ramë Bllacës, ajo do të vazhdojë të mbrojë kauza për të cilat është sakrifikuar ndër shekuj. Kosova do ta ketë nderin ta ketë deputete, ndërsa qytetarët tanë kanë mundësinë që edhe njëherë të vlerësojnë parimësinë, guximin, nderin, besnikërinë ndaj shtetit dhe profesionalizmin e Albenës. Na priftë e mbara”.