Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” ka publikuar një kërcënim me eliminim fizik të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Në mesazhin e publikuar nga kjo organizatë, thuhet: “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.
“Severna Brigada” është përmendur edhe më herët në raste të incidenteve dhe kërcënimeve me prapavijë ekstremiste në veri të Kosovës, ndërsa mesazhi i fundit konsiderohet si përshkallëzim i retorikës kërcënuese ndaj institucioneve të Kosovës.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet e sigurisë lidhur me këtë mesazh.
Qeveria e Kosovës me një vendim e shpalli organizatë terroriste “Severna Brigada” në qershor 2023.
Bashkë me “Severna Brigada”, organizatë terroriste u shpall edhe “Civilna Zaštita” (“Mbrojtja Civile”).
Kurti atëherë deklaroi se këto grupe paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”.










