Menu Close

Shpend Ahmeti: Kryeministër, kushdo që po të këshillon për ekonomi po ta bën gropën

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë, duke thënë se, ndonëse rritja e pagave, shtesat për fëmijë dhe pensionet janë të mirëseardhura, qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe kosto gjithnjë e më të papërballueshme të jetesës.

Ahmeti ka theksuar se Kosova po përballet me një inflacion ndër më të lartët në Evropë, ndërsa ka fajësuar politikat shtetërore, mungesën e investimeve kapitale dhe moszhvillimin e prodhimit vendor.

Ai ka kritikuar drejtpërdrejt kryeministrin, duke thënë se këshilltarët e tij ekonomikë ose nuk kanë njohuri të mjaftueshme, ose po e çojnë drejt një rruge të gabuar, e cila rrezikon edhe Kosovën.

“Po subvencionojmë importe dhe po i ngrisim çmimet. Nuk po krijojmë kapital dhe pasuri të re brenda shtetit”, ka shkruar Ahmeti.

Postimi i plotë:

Vështirë është me u kritiku rritja e pagave, shtesat për fëmijë e pensionet. Pak ka njerëz që nuk i gëzohen këtyre lajmeve. Por në të njejtën kohë çmimet po rriten dhe përballimi me koston e jetës çdo ditë po bëhet më i vështirë. Duhet ta kuptojmë pse kemi inflacionin e tretë më të madh në Evropë edhe pse përdorim euron si valutë. Edhe më me rëndësi, duhet ta kuptojmë pse këto politika dhe kjo ekonomi do ta hajnë vetën.

Pra, vetëm Turqia me Lirën dhe jostabilitetin e saj, dhe Ukraina me luftë mbi pesëvjeçare, kanë rritje më të lartë të çmimeve se Kosova sot. Ne përballemi me naftë dy euroshe, ushqim qindra eurosh në muaj, fatura të rrymës të papërballueshme, e deri te espressot e 1.5 eurove.

Këto nuk janë vendime të qefit të ofruesve të mallrave dhe shërbimeve. Një pjesë patjetër është inflacioni i importuar botëror. Por një pjesë e madhe definitivisht janë politikat e gabuara shtetërore.

E para, inflacioni i lartë – kur nuk ka masa për sektorin privat dhe as investime kapitale në prodhim – kthehet në një tatim të msheft që i transferon paratë nga kursimet e qytetarëve tek shteti. Çmimet rriten, dhe bashkë me to rriten edhe tatimet që i paguajmë shtetit (TVSH-ja). Kur paga nuk del për të kaluar muajin, njerëzit marrin nga kursimet. Ngadalë, ato që qytetarët kanë kursyer, kalojnë direkt në buxhetin e shtetit. Kjo ka ndodhur tashmë.

E dyta, qeveria këto para shtesë po i dërgon të gjitha në ndihma, shtesa e rritje të pagave në sektorin publik. Këto para njerëzit natyrshëm i shpenzojnë në importe: supermarkete, produkte të huaja e rrymë që nuk po e prodhojmë vetë. Paratë na dalin jashtë vendit, dhe meqenëse s’ka prodhim, punëtorët tanë në sektorin privat kërkojnë rritje pagash thjesht me i përballu çmimet. Kjo rritje e kostos pa rritje të produktivitetit i bën eksportet tona edhe më të shtrenjta e më të pakonkurrueshme, duke e thelluar deficitin e bilancit të pagesave. Më shumë e më shumë para na dalin jashtë. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh.

E treta, futja e parave të gatshme tek konsumi (kërkesa) pa rritur prodhimin vendor (oferta) bën pikërisht atë që po shohim: më shumë para që ndjekin mallra të huaja, pa pasur ofertë të prodhimeve vendore, duke e mirëmbajtur në jetë rritjen e çmimeve – inflacionin. Meqenëse përdorim euron, nuk kemi në dispozicion politika të kamatave. Kjo e bën mungesën e investimit në prodhim vendor edhe më të rrezikshëm, sepse infrastruktura dhe prodhimi janë mjetet e vetme. Çmimet po rriten e mundësitë po zvogëlohen. Kjo ka ndodhë dhe ka me ndodhë edhe ma shumë.

Me thënë shkurt e shqip, ky buxhet dhe këto politika po blejnë qetësi sociale afatshkurte. Po subvencionojmë importe dhe po i ngrisim çmimet. Nuk po krijojmë kapital dhe pasuri të re brenda shtetit. Ky cikël e ka një fund dhe dikur shpërthen sepse është cikël që e han veten. Dikur s’ka me pasë më mundësi me shpërnda rritje, sepse tkurrja e prodhimit vendor dhe ikja e parave jashtë s’kanë me e përballu faturën e inflacionit.

Kryeministër, kushdo që po të këshillon për ekonomi, ose nuk po din, ose po ta bën gropën. Por bashkë me vete, po na bën gropen edhe krejt Kosovës. Këto politika janë shumë afatshkurtra dhe mund të duken mirë në sipërfaqe. Por ekonomikisht janë thellësisht vdekjeprurëse në afatgjatë.

Nuk mjafton vetëm futja e projekteve në buxhet, edhe pse edhe si vlerë janë të pamjaftueshme. Duhet edhe implementimi i tyre. Konsultone çdo libër, të majtë apo të djathtë. Nuk është çështja te rishpërndarja, por te krijimi i vlerës për me pasë çka me rishpërnda.

Related Posts