Një ilaç i ri, i marrë në formë tablete çdo ditë, po jep rezultate premtuese në trajtimin e kancerit të pankreasit, një prej formave më agresive dhe më të vështira për t’u trajtuar të kësaj sëmundjeje. Në provat e hershme klinike, tumoret u zvogëluan te disa pacientë, ndërsa te një pjesë e tyre nuk u dalluan më në ekzaminimet imazherike.
Ilaçi, i quajtur daraxonrasib, u kombinua me kimioterapinë në një studim ku morën pjesë 61 pacientë të diagnostikuar së fundmi me kancer të avancuar të pankreasit, i cili ishte përhapur edhe në organe të tjera.
Rezultatet treguan se tumoret ndaluan së rrituri te 90% e pjesëmarrësve, ndërsa te pak më shumë se 60% u zvogëluan ose u zhdukën. Në rreth 8% të pacientëve, ose një në 12, tumoret nuk u dalluan më në skanimet me tomografi të kompjuterizuar (CT), shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Organizata britanike “Cancer Research UK”, i cilësoi rezultatet si përparimin më të madh në trajtimin e kësaj sëmundjeje në dekada. Studiuesit shpresojnë se trajtimi mund t’u zgjasë jetën pacientëve, duke ngadalësuar përparimin e sëmundjes.
Nevojiten studime më të gjata
Daraxonrasib është një terapi e synuar që vepron mbi mutacionet gjenetike RAS, të cilat gjenden në shumicën e rasteve të kancerit të pankreasit dhe nxisin rritjen e tumoreve.
Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se rezultatet janë ende paraprake dhe nuk nënkuptojnë shërim nga kanceri. Pjesëmarrësit u ndoqën mesatarisht për 18 muaj, por nevojiten studime më të gjata për të kuptuar sa gjatë mund të qëndrojë sëmundja nën kontroll dhe nëse tumoret mund të hyjnë në remision.
Kanceri i pankreasit ka një nga normat më të ulëta të mbijetesës ndër format e zakonshme të kancerit. Në Britani, çdo vit diagnostikohen rreth 11,500 persona dhe regjistrohen afërsisht 10,200 vdekje nga kjo sëmundje.
