Kryetari i Shoqatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj ka reaguar ashpër ndaj aktivizimit të këshilltares politike të Armend Mujës, Majlinda Shabanit për të koordinuar aksionin e inspektimit në qumështoren “Vita” në Istog që rezultoi me mbylljen e saj për të paktën 7 ditë.
Sefaj ka thënë se angazhimi i saj përbën shkelje të rëndë të ligjit për Inspektimet dhe për Qeverinë.
Ai ka theksuar se vetëm në Kosovë ndodh që këshilltarët politikë të koordinojnë aksione inspektimi.
“Në krejt Evropë, veç në Kosovë keshilltarët politik kordinojnë aksione inspektimi”, ka thënë Sefaj.
“Këshilltarja politike e ministrit Armend Muja e ka koordinuar sot inspektimin në Vita, në Istog. Kjo është një shkelje e rëndë e ndarjes ligjit për Inspektimet dhe për Qeverinë qe përcakton qartë përgjegjesitë ndërmjet kabinetit politik dhe shërbimit civil”, ka sqaruar ai.
Neni 30 i Ligjit Nr. 08/L-067 për Inspektimet përcakton qartë se inspektimi kryhet vetëm nga inspektori ose trupa inspektuese e përbërë nga inspektorë të autorizuar. Përveç rasteve kur një ligj i posaçëm parashikon ndryshe, vetëm inspektorët kanë të drejtë të kryejnë inspektimin dhe të ushtrojnë kompetencat inspektuese.
Po ashtu neni 13 i Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë ia ndalojnë këshilltarit politik ushtrimin e kompetencave drejtuese ose kompetencave të tjera administrative në shërbimin civil.
Edhe neni 22 i Rregullores (QRK) – Nr. 06/2020 saktëson se këshilltarit politik ,nuk i lejohet të ndërhyjë në funksionet të cilat me legjislacionin përkatës i janë përcaktuar shërbimit civil dhe as t’iu jep udhëzime nëpunësve civil.
“Këshilltarët politik janë emëruar për ti dhënë këshilla ministrit, jo për të koordinuar inspektime apo për t’u përfshirë në ushtrimin e kompetencave që ligji ua rezervon ekskluzivisht inspektorëve”, ka thënë Sefaj.
“Kur këshilltarët politik fillojnë ti koordinojë inspektimet, atëherë shteti ligjor zëvendësohet me arbitraritet politik, e kjo behët me qëllim qe ti krijohet hapësira dhe tregu prodhuesve serb të qumështit dhe produkteve të tij”, ka thënë ai.
“Sqarim për ju qe se dini : Inspektoret janë shërbyes civil”.








