Hasani: Rusia vret çdo ditë civilë, ndërsa ish-krerët e UÇK-së gjykohen për raste hipotetike

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës e ka bërë, sipas tij, absurde ekzistencën e Gjykatës Speciale.

Në emisionin “Konfront” në KTV, Hasani tha se, ndërsa Rusia po shkakton çdo ditë viktima të shumta civile në Ukrainë, ish-krerët e UÇK-së po gjykohen prej gjashtë vjetësh për raste hipotetike të vrasjeve.

“Sepse sot e pamë që Rusia me dronë i ka vrarë 19 persona në mes të Kievit, çdo ditë i mbyt nga 100 persona, ndërsa këta akuzohen që gjashtë vjet për 100 raste hipotetike të vrasjeve. Çdo sanksion penal ka një qëllim. Atëherë, cilin qëllim synon ta arrijë Perëndimi duke i ndjekur penalisht liderët e një lëvizjeje çlirimtare guerile, dhe atë mbi bazën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ka thënë Hasani.