Komuna e Istogut ka reaguar lidhur me mbylljen e qumështores “Vita”.
Përmes një postimi në Facebook faqja zyrtare e komunës ka shkruar se zhvillimet kanë ngjallur shqetësim në Komunën e Istogut ‘duke prekur drejtpërdrejt fermerët vendorë, qindra punëtorë dhe gjithë zinxhirin e prodhimit të qumështit’.
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, shpreh shqetësimin e tij të thellë për mënyrën dhe pasojat e këtij veprimi, i cili siç thuhet ka krijuar pasiguri të madhe për fermerët dhe punëtorët e komunës.
Ferati ka kërkuar hapjen e menjëhershme të qumështores në mënyrë që të mos dëmtohen fermerët, punëtorët dhe ekonomia lokale.
“Komuna e Istogut do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të fermerëve, punëtorëve dhe prodhimit vendor, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të komunës sonë”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se qumështorja “Vita” është mbyllur, pas vendimit të marrë nga vetë kompania pas inspektimit të pa paralajmëruar nga ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ndërsa 25 inspektorë kanë shkuar për inspektim te qumështorja.
Reagime të menjëhershme kanë ardhur edhe nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe figura politike si Ramush Haradinaj dhe Ardian Gjini.








