Menu Close

Rama e akuzon Abdixhikun për “tradhti”: Thotë se kërkoi bashkëpunim me VV-në për t’ia marrë shumicën në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me akuza të rënda ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar për “tradhti” politike dhe për përpjekje për t’ia marrë shumicën në Kuvendin Komunal të kryeqytetit përmes negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një paraqitje në RTV Dukagjini, të martën mbrëma, Rama pretendoi se Abdixhiku e kishte kontaktuar shefin e grupit të asamblistëve të LDK-së, Egzon Pacolli, me kërkesën që të negociojë me Gëzim Sveçlën e VV-së për t’ia marrë shumicën në Kuvendin Komunal.

“Siç po dëgjoj që ka thirr shefin e asamblesë të LDK-së, Egzon Pacollin, shko negocio me Gëzim Sveçlën për me ia marrë shumicën Përparim Ramës”, deklaroi Rama, duke e cilësuar këtë veprim të pretenduar si shenjë të një mendësie të gabuar në udhëheqjen e partisë.

Kryetari i Prishtinës tha se, në vend që Abdixhiku ta mbështesë qeverisjen e kryeqytetit, ai po merret me organizime që, sipas Ramës, synojnë ta dobësojnë atë politikisht. Rama pretendoi se Qeveria qendrore e udhëhequr nga Albin Kurti po e pengon zhvillimin e Prishtinës dhe se LDK-ja duhet të jetë në anën e kryeqytetit, e jo të bashkëpunojë me VV-në kundër tij.

“Kur e sheh që qe pesë vite kjo qeveri e lufton kryeqytetin që është e LDK-së bashkë me Përparim Ramën dhe ti duhesh ti ndihmosh atij e jo të merresh me organizime të këtyre rrenave që i qesin në publik, është për të ardhur keq”, u shpreh ai.

“E kam përkrahur për pesë vjet”, Rama kërkon që Abdixhiku të lëshojë rrugë

Përplasja e Ramës me Abdixhikun nuk u ndal vetëm te pretendimet për shumicën në Prishtinë. Kryetari i kryeqytetit e kritikoi ashpër edhe udhëheqjen e LDK-së, duke thënë se kjo parti, sipas tij, nuk duhet të pajtohet me vendin e tretë në skenën politike, por duhet të synojë të parin.

Rama, i cili pretendon se për pesë vjet e ka mbështetur Abdixhikun, tha se kryetari i LDK-së duhet të reflektojë për rezultatet zgjedhore dhe t’ua hapë rrugën figurave të tjera brenda partisë.

“Unë e kam përkrah që pesë vite, jam mundu me e ngrit LDK-në, jam mundu me i ndihmu Lumir Abdixhikut që njëherë ka dal i treti, dy herë i treti dhe tri herë i treti dhe mendoj që një njeri normal me mendësi të plotë duhet të lëshoj rend që të shtyhet procesi përpara”, tha Rama.

Ai shtoi se Abdixhiku është ende i ri dhe ka mundësi të reflektojë, duke e bërë të qartë pakënaqësinë e tij me mënyrën se si po udhëhiqet partia.

Sipas Ramës, LDK-ja duhet të synojë rikthimin në vendin e parë dhe të mos pranojë, siç u shpreh ai, nënshtrimin ndaj nismave të Vetëvendosjes.

Related Posts