Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka njoftuar se po bashkëpunon me autoritetet e Kroacisë dhe Malit të Zi për të lehtësuar kalimin e qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare gjatë sezonit turistik, për shkak të rritjes së ndjeshme të fluksit të udhëtarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë periudhave të pikut, veçanërisht në fundjavë dhe ditët me lëvizje të lartë, në pikat kufitare mes dy vendeve krijohen pritje të gjata për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe udhëtarëve që kalojnë drejt Shqipërisë përmes këtij korridori rrugor.
Ministria bën të ditur se, së bashku me përfaqësitë diplomatike shqiptare, është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të vendeve përkatëse, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe përshpejtimin e procedurave kufitare.
“Vetëm gjatë sezonit veror, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor. Një volum i tillë lëvizjesh krijon, në periudha të caktuara, ngarkesa të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.








