Kontrolle intensive në Tiranë: 2 të arrestuar, sekuestrohen drogë, armë e makina luksoze

Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet intensive në terren, në kuadër të planit të masave për parandalimin e paligjshmërive dhe rritjen e parametrave të sigurisë, duke zhvilluar aksione në Tiranë, Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël.

Sipas Policisë, gjatë kontrolleve të kryera nga Forca e Posaçme Operacionale, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Policisë Rrugore, janë kontrolluar 87 automjete dhe janë verifikuar 118 qytetarë, transmeton Klankosova.tv.

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar në flagrancë dy persona. Njëri prej tyre u kap me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa tjetri mbante me vete një armë të ftohtë, konkretisht një shufër metalike, e cila u sekuestrua.

Gjithashtu, policia shoqëroi një shtetas që kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa u sekuestrua automjeti luksoz që ai përdorte.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar dhe janë hequr 34 xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative. Po ashtu, për verifikime të mëtejshme janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 shtetas.