Pas shkarkimit, Slot me letër emocionuese për tifozët dhe qytetin e Liverpoolit

Holandezi Arne Slot u ka shkruar një letër lamtumirëse tifozëve dhe stafit të Liverpoolit, pas shkarkimit të tij nga posti i trajnerit të gjigantit anglez.

Pas dy viteve në krye të “The Reds”, Slot është shkarkuar të shtunën, duke lënë mbrapa një sezon zhgënjyes, derisa në të parin ai fitoi Premier Ligën.

Ai ka shkruar gjatë për historinë e klubit, veçantinë e “Anfield Road” dhe mbështetjen e zjarrtë të tifozëve, duke e cilësuar Liverpoolin si një nga ekipet më të mëdha në botën e futbollit.

Slot është ndalur më së shumti te fitimi i titullit të 20-të, në sezonin e tij në parë me Liverpoolin.

“Që të gjitha ato emocione do të kulmonin në një titull të Premier League pas vetëm 12 muajsh ishte më shumë se e veçantë. Nuk ishte vetëm një trofe, por një shpërblim për punën e palodhur, sakrificën dhe përkushtimin e treguar nga kaq shumë njerëz në të gjithë klubin.”, ka shkruar Slot.

Ai ka vlerësuar tifozët dhe qytetarët që së bashku festuan titullin, duke mbushur rrugët plot, e me atmosferë të veçantë.

Slot nuk e la pa e përmendur edhe aksidentin tragjik në të cilin humbi jetën futbollisti, Diogo Jota, duke e vlerësuar këtë situatë se të papërshkrueshme.

“Më shumë se çdo gjë tjetër, dua të kujtoj një shok skuadre, një mik dhe një qenie njerëzore të jashtëzakonshme që preku jetën e mijëra prej jush sa herë që mbante stemën e famshme të këtij klubi. Në një nga momentet më të vështira që ky klub ka përballuar, dashuria, dhembshuria dhe mbështetja e treguar nga familja e Liverpoolit ishte e jashtëzakonshme. Ndërsa po largohem nga ky klub, do të ishte e pakujdesshme nga ana ime të mos thoja se mënyra se si e nderuat Diogon dhe qëndruat së bashku në kujtimin e tij do të mbetet me mua përgjithmonë.”, ka shkruar Slot.

Ai ka thënë se lidhja ndërmjet tifozëve, klubit e qytetit është përtej futbollit, duke veçuar netët evropiane dhe himnin “You’ll Never Walk Alone” që këndohet nga “The Kop”.

“Më bëtë të ndihem i mirëpritur që nga fillimi dhe më ndihmuat në rrugë. Kjo është diçka që e çmoj shumë.”, ka shtuar Slot.

Ai ka falendëruar lojtarët, stafin dhe të gjithë ata që janë angazhuar për klubin.

“Ka qenë një kënaqësi të punoj me ju të gjithë.”, ka thënë Slot.

Slot ka thënë se po largohet duke e lënë Liverpoolin në një gjendje të mirë dhe duke shpresuar për sukseset që e presin ekipin në vitet në vazhdim. /Klnakosova.tv