Gazmend Syla: Vandalizimi i simboleve të UÇK-së pasojë e indoktrinimit anti-UÇK

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, ka reaguar pas rasteve të fundit të dëmtimit të shkronjave të UÇK-së në disa lokacione të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Syla tha se brenda një muaji në tri lokacione pranë vendbanimeve me shumicë shqiptare janë vandalizuar shkronjat e UÇK-së, ndërsa sipas tij, simbolet e ushtrisë dhe paramilitarëve serbë vazhdojnë të ndërtohen.

Ai vlerësoi se këto veprime nuk janë të rastësishme, duke i cilësuar si pasojë të asaj që e quajti “indoktrinim anti-UÇK”. Syla akuzoi kryeministrin Albin Kurti se, sipas tij, prej vitesh ka ushqyer një qasje të tillë.

“Kjo nuk është e rastësishme. Është korrje e atij indoktrinimi anti-UÇK që Kurti po e bën me dekada. Kjo është Kosova e Kurtit: kolaboracionistët strehohen, terroristët tolerohen, e shqiptarët tradhtohen”, ka shkruar Syla.