Nis rrënimi i objekteve pa leje në pronën e “Trepçës” në Mitrovicën e Veriut

Ndërmarrja “Trepça” ka njoftuar se ka filluar aksioni për lirimin e pronës, përfshirë rrënimin e të gjitha objekteve dhe garazheve të ndërtuara pa bazë ligjore në një parcelë në Mitrovicë të Veriut.

Siç bën të ditur kjo ndërmarrje kjo zonë përfshin mbi 20 garazhe dhe objekte të tjera që janë në pronësi të saj.

“Në bazë të verifikimeve në terren, kjo zonë përfshin mbi 20 garazhe dhe objekte të vendosura përgjatë rrugës, të cilat janë në pronësi të Trepça Sh.A. dhe janë uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme”.

“Ky veprim ndërmerret pas dhënies së afatit 48-orësh për lirimin vullnetar të hapësirës, si dhe pas paralajmërimit paraprak, me të cilin palëve u është ofruar mundësia për paraqitjen e marrëveshjeve eventuale për shqyrtim”.

“Aksioni për lirimin e pronës po realizohet me mbështetje institucionale dhe do të vazhdojë deri në rikthimin e plotë të pronës në menaxhim të Trepça Sh.A”, thuhet në njoftim.