Nënshkrimet e LDK-së, Kurti i kundërpërgjigjet Lumir Abdixhikut

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur Lumir Abdixhikut të LDK-së, i cili mbrëmë paraqiti një listë me nënshkrimin e 15 deputetëve të kësaj partie për propozimin për president.

Kurti ka thënë se gjatë takimeve me Abdixhikun ai asnjëherë nuk ka marrë propozimin për Vjosa Osmanin.

“Kryetarin e LDK-së e kam takuar disa here, madje shumë here, s’ka pasur asnjëherë propozim, ndërkaq sa i përket paraqitjes së djeshme, së pari dolën pas seancës, nuk dolën para seancës. Letra do të mund t’i ofrohej VV-së në mënyrë institucionale”, ka thënë Kurti.

“Në orën 11 të natës, dolën me një listë ku ishin emrat e tyre, por nuk shkruante për çka janë ata emra, dolën sikur me pas qenë një listë për ndonjë debat parlamentar. Nuk thuhej se emrat janë për këta kandidatë. Emrat duhet të vijnë te unë, nëse i kanë 15 nënshkrime le të vijnë te unë, por duhet ta kenë datën e sotme. Sot do të duhej ta kishte datën 28 prill. Duhet ta ketë qëllimin e qartë, por jo t’ua sjellë juve. Nuk kam kundër që t’jua jap juve, presidenti nuk votohet në shoqatë të gazetarëve”, ka thënë ai.