Mustafa: Qytetarët, dita-ditës, po e humbin besimin se mund të jetojnë në Kosovë (VIDEO)

Kandidati për deputet nga PDK, Arben Mustafa ka deklaruar se qytetarët e Kosovës, veçanërisht të rinjtë, po e humbin besimin për të ndërtuar jetën në vend, si pasojë e krizës politike dhe mungesës së institucioneve funksionale.

Në emisionin Info Magazine, Mustafa tha se Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale.

“Është fakt që vendi ndodhet në një krizë. Ka dy vite që nuk kemi institucione funksionale. Ka dy vite që në Kosovë nuk flitet as për zhvillim, as për fuqizim të shtetit, e as për integrim të shtetit, por për pozicione të ndryshme politike, që i synon një parti, e cila po i fiton zgjedhjet, po del e para, por nuk po fillon me qeverisjen. Si pasojë e kësaj, vendi është në krizë”, deklaroi ai.

Tutje, Mustafa theksoi se nevojitet krijimi i kushteve më të mira për qytetarët, në mënyrë që ata të shohin perspektivë brenda vendit.

“Sipas asaj që po shohim, qytetarët, sidomos të rinjtë, dita-ditës po e humbin besimin që mund të jetojnë mirë në Kosovë dhe rrjedhimisht po i shohim valët e reja të emigrimit”, tha Mustafa./Klankosova.tv