Mojsilloviq: Aleanca ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci është e drejtuar kundër Serbisë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, ka shprehur mendimin e tij lidhur me situatën e sigurisë në rajon, zhvillimet ushtarake dhe rolin e ushtrisë serbe.

Ai ka pretenduar se bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë shihet nga Serbia si “një aleancë e drejtuar kundër saj dhe serbëve në rajon”, transmeton Paparaci.

Sipas fjalëve të tij, “kjo aleancë përbën presion dhe sfidë serioze sigurie, si dhe një përpjekje për ta shndërruar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një ushtri të mirëfilltë dhe për ta integruar në aleanca ushtarake, gjë që Serbia e konsideron në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare si Rezoluta 1244 dhe dokumente të tjera relevante”. Megjithatë, ai shprehet se Ushtria e Serbisë është e përgatitur dhe e aftë t’i kundërvihet kësaj situate dhe do të forcohet më tej.

Mojsilloviq kritikon veprimet e autoriteteve të Kosovës, duke i cilësuar ato si “të njëanshme dhe jodemokratike, sidomos në raport me komunitetin serb në Kosovë”. Ai thotë se është i shqetësuar “për mundësinë që strukturat e sigurisë së Kosovës të përdoren kundër serbëve lokalë”, duke pretenduar se “situata e sigurisë në Kosovë mbetet sfida kryesore për Serbinë”.

Në këtë kontekst, ai nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me KFOR-in, të cilin Serbia e konsideron si të vetmen forcë legjitime të armatosur në Kosovë, përgjegjëse për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes.

Ai thotë se, në përgjithësi, situata e sigurisë në Serbi është stabile, por thekson se ekzistojnë rreziqet, “sidomos në Kosovë”. Për këtë arsye, ushtria është angazhuar edhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, veçanërisht asaj energjetike, duke marrë parasysh zhvillimet globale dhe rritjen e incidenteve në këtë sektor.

Në fund, Mojsilloviq krahason gjendjen aktuale të ushtrisë me atë të vitit 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, duke theksuar se “sot ushtria serbe është shumë më e avancuar, më e pajisur dhe më e aftë operacionalisht”./Paparaci.com