Mesfushorët më të mirë në historinë kuqezi. Gullit, Kaká dhe Ancelotti në “Hall of Fame” të Milanit

Carlo Ancelotti, Ruud Gullit dhe Ricardo Kaká hyjnë zyrtarisht në “Hall of Fame” si mesfushorët më të mirë në historinë e Milanit. Këtë e bën të ditur vetë klubi kuqezi në një komunikatë, duke theksuar se bëhet fjalë për “një vlerësim prestigjioz, i dhënë nga tifozët milanistë në mbarë botën, pas një procesi votimi që shpërbleu aftësinë e tyre për të mishëruar pasionin dhe vlerat e klubit, si dhe sukseset e arritura gjatë karrierës me fanellën kuqezi”.

Me këtë fanellë, Gullit dhe Kaká kanë mahnitur breza të tërë tifozësh dhe kanë fituar “Topin e Artë” në vitet 1987 dhe 2007, ndërsa Ancelotti, përpara se të bëhej trajner i madh, ishte lider teknik në fushë nën drejtimin e Sacchi. Emrat e tyre do të bashkohen në “Hall of Fame” me anëtarin e nderit Franco Baresi dhe anëtarët e zgjedhur Filippo Inzaghi, Andriy Shevchenko e Marco van Basten, duke formuar “klasën 2026”.

“Ceremonitë do të nisin më 26 prill, në ndeshjen Milan-Juventus në ‘San Siro’. Gullit do të jetë i pari që do të marrë trofeun e realizuar nga ‘Tiffany & Co’. ‘Hall of Fame’ synon të nderojë historinë e Milanit dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm”, – shkruan klubi kuqezi.

The post Mesfushorët më të mirë në historinë kuqezi. Gullit, Kaká dhe Ancelotti në “Hall of Fame” të Milanit appeared first on Telesport.