Mediat gjermane: Tre të vdekur në një aksident të tmerrshëm në Nittendorf

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Gjermani, ku tre mërgimtarë nga Kosova kanë humbur jetën.

Ndonëse nuk dihet nëse kemi të bëjmë me rastin e njëjtë, mediat në Gjermani kanë raportuar të enjten për një aksident të rëndë ku një veturë ka rënë në hekurudhën nën autostradën A3 afër Nittendorfit në distriktin e Regensburgut. Tre persona kanë mbetur të vdekur, raporton Klankosova.tv.

Një zëdhënës policie, sipas medias gjermane “Bayerischer Rundfunk”, ka thënë se vetura ka dalë nga autostrada A3 në drejtim të Nurembergut për arsye që ende nuk dihen.

“Mjeti u rrëzua me shpejtësi poshtë një argjinature, duke u përplasur fillimisht në binarë të linjës hekurudhore që kalon poshtë autostradës. Në fund, makina ra në bregun e gjelbër pranë saj”, sipas zëdhënësit të policisë.

Të tre personat që gjendeshin në veturë kanë vdekur si pasojë e lëndimeve.

Media në fjalë ka thënë se shpëtimi i tyre ka qenë i vështirë.

“Fillimisht, të tre personat ka qenë e vështirë të nxirren nga vetura. Automjeti është nxjerrë me ndihmën e një vinçi”, ka shkruar “Bayerischer Rundfunk”.

Si pasojë e këtij aksidenti, një tren është evakuuar pasi binarët e hekurudhës u dëmtuan nga aksidenti. Sipas policisë, në tren ishin rreth 80 pasagjerë, të cilët u zhvendosën në një tren tjetër, raporton Klankosova.tv.

Aksidenti ka bërë që autostrada Regensburg – Nuremberg të mbetet e mbyllur për orë të tëra.

“Është krejtësisht e paqartë se si ka ndodhur aksidenti, sipas zëdhënësit. Megjithatë, mund të supozohet se vetura ka qenë e vetmja e përfshirë në aksident. Për fat të mirë, nuk ka pasur tren në atë kohë”, ka  raportuar “Bayerischer Rundfunk”. /Klankosova.tv