Menu Close

Kurti u krenua me rritjen e buxhetit, i reagon Bajrami: 250 mijë qytetarë lëshuan vendin, s’ka mirëqenie

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas miratimit të Projektbuxhetit për vitin 2027, duke kritikuar mënyrën se si Qeveria e paraqet rritjen ekonomike dhe buxhetore.

Përmes një postimi, Bajrami ka thënë se rritja e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor në terma nominalë nuk e pasqyron gjendjen reale ekonomike të qytetarëve.

Ajo ka theksuar se nga viti 2021 deri më sot çmimet janë rritur rreth 34 për qind, duke shtuar se qytetarët sot mund të marrin më shumë euro, por me to blejnë më pak se para pesë vjetësh.

“Rritja e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor në terma nominalë nuk e tregojnë realitetin ekonomik. Sot, mund të marrim më shumë euro, por blejmë shumë më pak se në vitin 2021. Rritja e shifrave në letër nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka lidhur mungesën e mirëqenies edhe me largimin e qytetarëve nga Kosova, duke shtuar se rreth 250 mijë persona e kanë lëshuar vendin që nga viti 2021.

“Fundja, sikur të kishte mirëqenie, nuk e kishin lëshuar vendin rreth 250 mijë qytetarë nga viti 2021”, ka shkruar ajo.

Reagimi i Bajramit vjen pasi Qeveria e Kosovës miratoi Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh. Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit tha se ekonomia pritet të rritet me 4.2 për qind në vitin 2027, ndërsa të hyrat buxhetore për herë të parë pritet të kalojnë 4 miliardë euro.

Related Posts