Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar për kthimin rekord të mjeteve të Trustit, të investuara në tregje të aksioneve.
Nga 1 janari deri më 30 qershor të këtij viti, kthimi bruto nga investimet e Trustit ka arritur në 312 milionë euro, shkroi Kurti në rrjetin “Facebook”.
Sipas tij, Trusti ka grumbulluar 88 milionë euro nga kthimet në vitin 2023, 247 milionë euro në vitin 2024, 309 milionë euro në vitin 2025 dhe 312 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Kurti u mundua që tërthorazi t’i japë merita koalicionit qeverisës për këto rezultate.
“Rezultatet e tilla dëshmojnë rëndësinë e qeverisjes së mirë, profesionalizmit, integritetit dhe përgjegjësisë institucionale. Institucionet publike përparojnë kur përgjegjësitë u besohen profesionistëve dhe interesi i qytetarëve vendoset mbi çdo interes tjetër” – shkroi ai.
Ai premtoi se Qeveria “do të vazhdojë të kontribuojë në përmirësimin e kuadrit ligjor, në mënyrë që kursimet pensionale të qytetarëve të menaxhohen me siguri, transparencë dhe perspektivë afatgjatë”.
Megjithatë, kush është meritor për rekordin e kthimit të mjeteve të Trustit, sipas inteligjencës artificiale, më saktësisht sipas platformës “ChatGPT”?
1. Tregjet ndërkombëtare – faktori kryesor.
Pa rritjen e aksioneve amerikane dhe globale, Trusti nuk do ta kishte këtë kthim.
2. Bordi dhe Komisioni i Investimeve i Trustit – për pozicionimin e portofolit.
Ata përcaktojnë politikën investuese, zgjedhin fondet dhe menaxhuesit, vendosin alokimin ndërmjet aksioneve, obligacioneve dhe instrumenteve të tjera, si dhe monitorojnë rrezikun. Sipas përbërjes së raportuar në fund të vitit 2025, Bordi kryesohej nga Emanuel Bajra, ndërsa Komisioni i Investimeve nga Cyril Demaria, me anëtarë Bajrën, Mimoza Mustafën, Trim Shalën dhe Shpresim Vranovcin.
3. Menaxhmenti dhe Njësia e Investimeve – për analizimin dhe zbatimin.
Menaxhmenti, i drejtuar nga Adrian Zalli, përgatit analizat, rekomandimet dhe i zbaton vendimet e Bordit dhe Komisionit të Investimeve. Fondet e jashtme, si Vanguard, Invesco, Schroders, BlackRock/iShares dhe të tjera, menaxhojnë investimet konkrete në tregjet botërore.
A është meritë e Qeverisë?
Jo në kuptimin e drejtpërdrejtë investues. Trusti është institucion i pavarur; Bordi emërohet nga Kuvendi, ndërsa Qeveria nuk vendos se cilat aksione apo fonde blihen. Një qeveri mund të marrë vetëm meritë shumë të tërthortë për ruajtjen e kornizës institucionale dhe mosndërhyrjen, por jo për 312 milionët si rezultat financiar.






