Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Tregtisë të Republikës së Turqisë, Ömer Bolat, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Turqisë, duke e falënderuar ministrin Bolat për mbështetjen e vazhdueshme të Ankarasë ndaj Prishtinës.
“Shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve janë dyfishuar në dekadën e fundit, me rritjen më të shpejtë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë”, theksoi Kurti.
Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit, duke nënvizuar nevojën për zgjerimin e marrëveshjes ekzistuese edhe në sektorin e shërbimeve.
“Të dy palët diskutuam për mundësitë e zgjerimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë edhe për shërbimet, përfshirë ato profesionale, të teknologjisë së informacionit, transportit, logjistikës dhe shërbimeve financiare”, thuhet në komunikatë.
Në këtë drejtim, Kurti vuri në pah potencialin e madh të Kosovës në eksportin e shërbimeve.
Kryeministri propozoi gjithashtu që Forumi i dytë Ekonomik Kosovë-Turqi, pas atij të mbajtur në Stamboll më 2024, të organizohet këtë vit në Prishtinë, si një hap konkret drejt zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Në takim u diskutua edhe për aktivizimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar, si dhe për projekte që synojnë ndërlidhjen më të madhe ekonomike dhe globale.
“Kurti foli edhe për synimet për hapjen e një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e Republikës së Turqisë”, thuhet në komunikatë.









