Gazetari e analisti Vehbi Kajtazi ka kritikuar disa nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk reaguan pas deklaratës skandaloze të deputetit Fatos Geci.
Sipas Kajtazit, me deklaratën e Gecit mbrëmë janë kuptuar disa të vërteta për shoqërinë kosovare.
“Deputeti i regjimit te Kurtit, Fatos Geci, na i shfaqi disa të vërteta me deklaratën ne Kuvend: 1. Që është doktor shkence dhe nuk di të lexojë. 2. Që ai e tha me zë atë që e do krejt Vetëvendosje. 3. Që pjesa tjetër janë hipokrite dhe tucana. 4. Që shoqëria jonë është e ndarë në dysh: një pjesë mendon si Serbia dhe një pjese do liri për çlirimtarët”, thuhet në reagimin e Kajtazit në Facebook.
Ai ka tërhequr edhe një paralele tjetër, duke marrë për shkas reagimet e shumta që u shkaktuan disa javë më parë pas ekspozitës po ashtu skandaloze të Shkëlzen Gashit.
“Paramendojeni një situate tjetër: nëse këtë deklaratë e kish dhanë, ta zëmë, Shkëlzen Gashi, sot do të kishte protestë, peticion, nja 5 konferenca dhe shumëçka tjetër. Ama, kur flet dikush i Gecëve të Llaushës, heshtin edhe komandantet më në zë. Hipokrite!”, ka thënë Kajtazi.
Fatos Geci, deputet nga radhët e GUXO, deklaroi mbrëmë në Kuvendin e Kosovës se Hashim Thaçin e pret fati i njëjtë me Naim Murselin, i cili u dënua me burgim të përjetshëm.









