Kurti prezanton aderimin e radhës, pritet të jetë në listë për deputete

Albin Kurti ka njoftuar se aktivistja dhe autorja Adelina Tërshani i është bashkuar VV-së dhe do të kandidojë për deputete në legjislaturën e ardhshme.

Sipas Kurtit, Tërshani sjell mbi dhjetë vjet përvojë në mbrojtjen e të drejtave të grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara, ndërsa është vlerësuar si një zë intelektual dhe kritik që do të kontribuojë në programin për drejtësi shoqërore të partisë.

Postimi i plotë:

Me kënaqësi njoftojmë bashkimin e Adelina Tërshanit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila do të jetë edhe kandidate për deputete në legjislaturën e ardhshme.

Si aktiviste e njohur feministe dhe autore, Adelina sjell një përvojë mbi dhjetëvjeçare në mbrojtje të të drejtave të grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara, duke i bashkuar kauzat sociale me punën konkrete në terren dhe hulumtimin e politikave publike.

​Me formim akademik në Gazetari dhe Menaxhim të Konflikteve, studime të kryera në Itali, ajo përfaqëson një zë intelektual dhe kritik që e pasuron programin tonë për drejtësi shoqërore.

Përmes angazhimit të saj në institucione dhe artit si formë rezistence, Adelina do të vazhdojë betejën për barazi edhe brenda Kuvendit të Kosovës.