Kurti nga vendi ku ndodhi shpërthimi: Terroristët do të përballen me fuqinë e ligjit të Republikës

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me minsitrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, sot ka dalë në vendin ku mbrëmë ndodhi shpërthimi në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Ai para medieve ka thënë se policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.

“Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike”, tha Kurti

Ai ka thënë se në vendin ku ndodhi shpërthimi po bëhet një punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona, të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar atje.

Ai ka thënë se sulmi terrorist e kriminal që ndodhi mbrëmë ka dëmtuar rënd prodhimin e energjisë elektrike edhe furnizimin me ujë.

“Duke ju falënderuar punën vetëmohuese të policëve, të inxhinierëve të ekspertëve, të punëtorëve kemi arritur që, deri diku, ta sanojmë dëmin, ndonëse jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit Ibër-Lepenc, i cili bën edhe ftohjen e termoelektranave në Obiliq edhe furnizimin me ujë të qytetarëve të shumë komunave përfshirë edhe një pjesë të Prishtinës”, tha Kurti.